“Nuk ka hyrë sezoni problematik”, Epidemiologu: Cila është mënyra e duhur për të kuptuar nëse kemi grip apo Covid
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ishte i ftuar në një lidhje skype me studion e Fax News, ku foli për situatën e Covidit në vendin tonë duke thënë se është pro vaksinës për kategorinë e njerëzve më të rrezikuar. Alimehmeti tregoi se cilat janë virozat e stinës që do të qarkullojnë me uljen e temperaturave në vendin tonë duke theksuar se vaksina e gripit do të ndalojë disa nga problematika të Covidit.
“Vaksina e gripit është e dobishme për të ndaluar problematikat e Covidit, një pjesë të tyre, jo të gjitha. Kjo vaksinë duhet të jetë e drejtuar ndaj katër viruseve që parashikohet të jenë qarkulluese në hemisferën veriore të Tokës, ku bëjmë pjesë dhe ne, që janë dy tipe A H1N1, A H3N2 dhe dy tipe B Pucket dhe Washington. Pra duhet të jetë një vaksinë tetravalente sepse këto mendohet që do qarkullojnë këtë stinë”, tha mjeku Alimehmeti.
Nga ana tjetër, shtoi se nuk ka ardhur ende kulmi i sezonit të gripit pasi temperaturat mbeten të larta. Ndonëse kanë nisur dyshimet e njerëzve për gripin dhe Covidin rreth simptomave që kanë, Alimehmeti tregon se gjithcka kuptohet pas ditëve nëse shfaqen shenjat e Sars-Cov-2, por mënyra më e mirë nëse jeni infektuar për ta kuptuar është vetëm testi.
“Vala e madhe e gripit vitin e kaluar goditi në Janar-Shkurt dhe xhiruan disa viruse të ndryshme. Nuk ka hyrë akoma sezoni problematik. Nuk ka paralajmërim që do jetë më i rëndë se ai i viteve të kaluara. PCR është ajo që ndan Sars-Cov-2 me gjërat e tjera. Nga disa lloje ekzaminimesh nga pacientët, vihet re që nuk kemi të bëjmë me këtë por me një virozë tjetër të zakonshme dhe këto raste kanë filluar të shtohen që tregojnë se nuk është Covid por virozë tjetër”, tha Alimehmeti.