Nuk ka konsensus për reformën. Vasili: Gjiknuri na tha se PS do miratojë ligjet që i leverdisin asaj

Mbledhja e Këshillit Politik është mbyllur pa konsensus mes palëve për reformën zgjedhore. PS këmbëngul në ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe në mos hapjen 100 % të listave për kandidatë për deputetë. Përfaqësuesit e opozitës Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, akuzuan përfaqësuesin e mazhorancës Damian Gjiknuri se braktisi në mënyrë të njëanshme mbledhjen e Këshillit Politik.

Bylykbashi tha se PS ka frikë nga përgjigja e ODIHR ndaj edhe refuzon që të firmosë shkresën për të marrë opinion për koalicionet parazgjedhore. “Opozita nguli këmbë që e vetmja pikë e axhendës të jetë nënshkrimi i përbashkët në këtë Këshill i kërkesës drejtuar ODIHR. Gjiknuri refuzoi në mënyrë të vazhdueshme, ngulte këmbë të mbajë të pandryshuar qëndrimin e tij të palogjikshëm që të ndryshojë rregullat ndërkohë që loja ka filluar. PS nënvizoi frikën e saj nga përgjigjia që do të vijë nga ai që kemi pranuar si arbitër për zgjedhjet. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë pozicion, nëse PS nuk ndryshon qëndrim bllokon reformën konsensuale”,- tha Bylykbashi.

Nga ana tjetër Vasili duke cituar atë çfarë Gjiknuri deklaroi në mbledhje, akuzoi PS se po përpiqet të bëjë rregulla që të favorizojë vetveten. “Gjiknuri braktisi në mënyrë të njëanshme tavolinën e  Këshillit Politik. Dua të ndaj një deklarim shumë të rëndë të Gjiknurit në mbledhje që deklaroi haptas se meqë jemi mazhorancë miratojmë ligjin që na leverdis. Kjo shpjegon se kemi të bëjmë më qëndrim të njëanshëm të diktuar nga frika e qartë e humbjes së zgjedhjeve. I kemi kërkuar qartë dhe prerë pse ka frikë PS ti drejtohemi OSBE-ODIHR?Është shumë e rëndë për të ardhmen e Shqipërisë që drejtuesja formale ndalon Këshillin për t’ju drejtuar OSBE-ODIHR për opinion. Provuan qartë se nuk u intereson që shqiptarët të votojnë kandidatin që duan dhe partinë që duan. PS përpiqet të bëjë rregulla që të favorizojë vetëveten, dënimi që po i bën PS, një armike konstante, integrimit”,- deklaroi Vasili.

Kjo ishte mbledhja e tretë radhazi e Këshillit Politik që nuk prodhoi asnjë produkt mbi qëllimin për të cilin ishte mbledhur, ndryshimet në kodin zgjedhor.

SHKARKO APP