”Nuk kam kohë”, PD: Ministrja e Edi Ramës për fëmijët të japë dorëheqjen
”Nuk kam kohë”, kjo përgjigje e Ministres së Shtetit për Fëmijët, Bora Muzhaqi kur u pyet sot nga gazetarët për ngjarjen makabër të vrasjes së 8-vjeçarit, ka nxitur një reagim nga PD-ja. Deputetja e PD-së Ina Zhupa përmes një reaimi publik, thotë se Bora Muzhaqi ikën pa thënë asnjë fjalë për vrasjen e 8-vjeçarit, pa treguar dhimbsuri dhe përgjegjshmëri për detyrën e saj.
Reagimi i plotë
Dy realitete krejt të ndryshme kishte sot në Tiranë. Familjarët e Mateos, të dërrmuar nga dhimbja, që kërkojnë ndihmën e qytetarëve për të firmosur kthimin e dënimit me vdekje dhe Ministrja e Edi Ramës për fëmijët, që shpërfill me buzëqeshje dhimbjen e pamasë për vrasjen makabre të vogëlushit.
Bora Muzhaqi ikën pa thënë asnjë fjalë për të, pa treguar aspak dhimbsuri, përulësi dhe përgjegjshmëri për detyrën e saj. Kur të shihni videon, jam e sigurtë se do të revoltoheni njësoj si unë.
Dhe nuk e them këtë, sepse unë jam deputete e opozitës, që shoh më të këqijat tek qeveria. Jam e revoltuar si nënë dhe si qytetare, kur shoh Ministren për Fëmijët të na përpalsë në fytyrë VKM-në e detyrave të saj.
Zonja Ministre! Ju sot duhet të jepni dorëheqjen, sepse nuk jeni e denjë të bëni politika për fëmijët tanë! Jeta dhe mirëqenia e një fëmije është çështje shumë më e madhe sesa një VKM. Por ju këtë zonja Ministre nuk mund ta kuptoni, sepse jeni në atë detyrë jo për meritën tuaj, por sepse Edi Ramës i duhet buzëqeshja juaj!