Nuk la gjë pa thënë për emigrantët shqiptarë, Salvini rrezikon 15 vjet burg

Matteo Salvini rrezikon deri në 15 vjet burg me akuzën e re të gjykatës së Katanias sipas të cilës, ish-ministri I brendshëm Italian ka abuzuar me pushtetin duke privuar nga liria 131 emigrantë në bordin e anijes Gregoretti 27 korrikun e këtij viti. Ishte vetë Salvini që e njoftoi një gjë të tillë, duke e cilësuar si turp faktin që “një ministër gjykohet sepse ka kërkuar të mbrojë interesat e vendit të tij”.

Kërkesa për autorizimin e procedurës i është dërguar senatit dhe tani do të jenë ligjvënësit italianë ata që do të vendosin për t`i dhënë ose jo procesit dritën jeshile. Edhe në këtë rast, gjykata e Katanias dha mendim të kundërt me atë të prokurorit Carmelo Zuccaro i cili kishte kërkuar që akuzat kundër Salvinit, të arkivoheshin.

Por çështja me sa duket vazhdon të mbetet në vëmendjen e magjistraturës. Salvini akuzohet se ka vendosur me vetëdije t`i privojë nga liria emigrantët duke I detyruar të mos zbrisnin nga anija, pavarësisht kushteve të rënduara psiko-fizike në bord.

Tani, thotë Corriere della Sera, duhet të presim e të shohim ç`do të bëjë lëvizja 5 yjet, që asokohe qeveriste së bashku me kreun e Legës, e që praktikisht, ndante të njëjtin qëndrim me të.

Anija Gregoretti e rojeve bregdetare italiane kishte shpëtuar dhe marrë në bordin e saj 131 emigrantë, e bashkë me ta qe nisur drejt Lampeduzës, por nuk iu lejua zbarkimi. Pas disa ditësh në det, Gregoretti e mori më në fund autorizimin për t’u afruar në postin e Augustës, por vetëm pas angazhimit të pesë vendeve europiane për t`i marrë ato emigrantët e bllokuar në bordin e saj.

SHKARKO APP