”Nuk shpresoj, a keni nëna ju z.kryetar?”, qytetarja debat me Ramën në Kamëz
Pasditen e sotme, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me banorët e Kamzës, por në një moment ka replikuar me një grua, e cila kërkoi ndërtimin e një shkolle të re. Rama i premtoi zonjës se shkolla do të niste të ndërtohej për dy javë, por ajo shfaqi mosbesim. Kryeministri i kërkoi që të mos hidhte kunja dhe i tha se premtimin do ta mbante, madje sipas tij, ai do të shkonte vetë ta takonte gruan pas dy javësh, kur të nisnin punimet.
Pjesë nga replikat
Gruaja: Kam 60 vite që jetoj në Kamëz. Ktheji sytë nga ky trualli bosh. Kam bërë shkollën unë, kanë bërë shkollën dy fëmijët e mi.
Rama: I kam kthyer sytë dhe për dy javë aty fillon të ndërtohet shkolla.
Gruaja: Më fal a mund t’i bëj një pyetje kryebashkiakut. A keni nëna ju që të bëjnë një rrugë 2 kilometra në ditë me çantë në shpinë dhe të shkojnë atje matan?
Rama: Tani mbasi e more përgjigjen që do të bëhet shkolla, nuk u ule aty, por do ta nxjerrësh prap kunjën për dy kilometra.
Gruaja: Nuk është kunjë zoti kryeministër.
Rama: E para, duhet të jemi të vetëdijshëm që ka ende probleme të tilla, se po mos të kishte s’do isha unë këtu, sepse s’ka kush i bën tjetër.
Gruaja: Faleminderit, por unë nuk shpresoj.
Rama: Sa është data sot, për dy javë do jemi këtu, do vij edhe unë këtu në takim me ty edhe po nuk ishte këtu kompania e punimeve do të kemi punë me kryetarin e bashkisë pastaj. Unë problem e kam ta them fjalën, por po e thashë e mbaj pastaj.