Numri dy i OFL-së, Artan Shkëmbi ngelet i pezulluar
Përtej përpjekeve për të shtyrë vendimin e gjykatës, numri dy i Operacioni Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi do të vijojë të jetë i pezulluar nga detyra. Vendimi u dha këtë të enjte nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Ai akuzohet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Dyshimet janë që ai të ketë dekonspiruar të dhëna për një grup kriminal që ishte nën hetim nga autoritetet gjermane. Artan Shkëmbi mendohet të ketë përdorur një telefon që ka patur platformën “EncroChat”.
Avokati i tij mbrojtës, Artan Broci hodhi poshtë akuzat. Për mediat, ai vlerësoi punën e kryer nga Shkëmbi.
“Nuk ka asnjë provë që zoti Shkëmbi të ketë pasur telefon apo mjet komunikimi “EncroChat”. Jemi shumë të interesuar për ta zbardhur këtë çështje për shkak edhe të korrektësisë që ka në karrierën e tij. Ai ka drejtuar shumë operacione sekrete dhe të vështira më shumë se këto. Ne po kërkojmë zbardhjen e së vërtetës”,-tha Broci.