Numri dy i OFL-së në gjyq për nxjerrje të sekreteve, letrat ndaj të ”fortëve” nuk shterojnë

Zv/drejtori i Operacionit “Forca e Ligjit”, i pezulluar nga detyra, Artan Shkëmbi u paraqit këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar por seanca ndaj tij u shty. Ai akuzohet për nxjerrje të të dhënave sekrete në lidhje me një procedim të nisur nga një agjenci e huaj ligjzbatuese. Seanca u shty më kërkesë të vetë ish-drejtorit të OFL, por edhe avokatit të tij mbrojtës me argumentin se ata duhet të njihen me aktet e prokurorisë dhe vendimin e gjykatës që ishte marrë në mungesë dhe Shkëmbi nuk ka qenë në dijeni. Masa e pezullimit nga detyra është marrë të dielën dhe i është komunikuar Shkëmbi ditën e hënë nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Ardi Veliu. Seanca u vendos të zhvillohet nesër në orën 9:00 të mëngjesit.

Artan Shkëmbi i cili deri këtë javë mbante detyrën e drejtorit të departamentit të hetimit në policinë e shtetit, akuzohet për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe korrupsion pasiv, pasi ka dyshime nga SPAK se nxjerrja e të dhënave është bërë kundrejt pagesës monetare nga persona që kanë komunikuar me zyrtarin e policisë.

Sakaq Operacioni Forca e Ligjit vijon punën dhe këtë të mërkurë bëri me dije se u ka kërkuar deklarimin e pasurisë edhe tre shtetasve, dy prej tyre nën hetim nga autoritet franceze për ”Vepra penale me qëllime terroriste” dhe ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe një tjetër i dënuar nga Gjykata e Lartë e Landit në Düsseldorf, për të njëjtat vepra penale. OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve Artan Hënaj, Maksim Çelaj dhe Enea Buzo.

Artan Hënaj, banues në Fier nën hetim nga autoritetet franceze për “Vepra penale me qëllime terroriste” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; Maksim Çelaj, banues në Mallakastër, nën hetim nga autoritetet franceze për “Vepra penale me qëllime terroriste” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; Enea Buzo, banues në Gjirokastër, dënuar nga Gjykata e Lartë e Landit në Düsseldorf, Gjermani, për “Vepra penale me qëllime terroriste”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

”Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”,-thuhet në njoftimin e OFL-së.

SHKARKO APP