Numri i huave dhe huamarrësve pësoi rënie vitin e kaluar

Numri i individëve që kishin kredi në bankë pësoi rënie vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i huamarrësve në segmentin familjar (të individëve) ishte pak më shumë se 324 mijë. Krahasuar me vitin 2021, numri i huamarrësve pësoi rënie me 4.8% krahasuar me një vit më parë.

Numri i përgjithshëm i huamarrësve vazhdon të dominohet nga huamarrësit burra, me afërsisht 57% të totalit. Pesha e tyre ka ngelur pothuajse e pandryshuar krahasuar me një vit më parë.

Paralelisht me rënien e numrit të huamarrësve, u shënua edhe një rënie e numrit të llogarive të huasë. Gjithnjë duke iu referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë numri i llogarive huamarrëse (huave) në fund të vitit 2022 arriti në afërsisht 384 mijë, në rënie me 4.2% krahasuar me vitin paraardhës.

Stastikat tregojnë se në vlerë portofoli i kredisë për individë të sektorit bankar shënoi një rritje me 12% gjatë vitit 2022. Por, nga ana tjetër, numri i kredive dhe kredimarrësve nuk është rritur, përkundrazi, ka ardhur në rënie të dukshme krahasuar me një vit më parë.

Kjo tregon se rritja e kreditimit të ekonomisë, të paktën në segmentin e individëve, ka ardhur kryesisht nga rritja e shumës mesatare të huave dhe jo nga shtimi i numrit të shqiptarëve që kanë kredi në bankë. Duke pasur parasysh strukturën e kreditimit të individëve, që dominohet kryesisht nga kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme, mund të arrihet në përfundimin se rritja e kredisë në dy vitet e fundit ka ardhur sidomos nga rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme.

Sipas indeksit Fischer të çmimit të banesave, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2022 ka rezultuar në rritje me 16.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithashtu, rritja e portofolit të huasë, paralelisht me rënien e numrit të huave dhe huamarrësve, tregon se një numër në rritje i individëve shqiptarë po marrin më shumë se një kredi. Kjo dëshmon një rritje të tendencës së huamarrësve ekzistues për të marrë kredi të reja, me qëllim për të investuar në pasuri të paluajtshme, duke parë rritjen e shpejtë të çmimeve në vitet e fundit. Këto të dhëna nënkuptojnë një ngarkesë më të madhe me borxh për huamarrësit ekzistues dhe një zgjerim të dobët të bazës së huamarrësve në sektorin bankar.

Shifrat krahasuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregonin që për vitin 2021 numri i huamarrësve nga sektori bankar në Shqipëri ishte më pak se 154 për çdo 1000 mijë persona në moshë madhore (ose rreth 15.4%). Për këtë indikator, Shqipëria renditet e dyta nga fundi në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovë, ku numri i huamarrësve në raport me popullsinë në moshë madhore është afërsisht 13%. Për vendet e tjera të rajonit, angazhimi i popullsisë në hua nga sektori bankar është shumë më i lartë. Ky raport fillon nga 34% në rastin e Maqedonisë së Veriut, deri në 55.5% në rastin e Serbisë./MONITOR

SHKARKO APP