Nxehet moti politik! Më 2 mars përballja në Kuvend, më 3 mars gjyqi i vulës dhe protesta
Politika është në një javë “zjarri”. E enjtja e 2 marsit do ta gjejë Parlamentin e Shqipërisë të mbërthyer në debatin me mocionin me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal. Janë 13 pyetje hartuar nga opozita të cilat presin përgjigjen e kryeministrit.
Përballja kryesore pritet të jetë me Edi Ramën por Sali Berisha i shtoi edhe disa emra të tjerë që sipas tij janë protagonistë të veprimtarisë së Mcgonigal në Tiranë.
Kjo seancë maratonë i paraprin një tjetër zhvillimi të rëndësishëm për opozitën shqiptare të ndarë në dy blloqe. Beteja e gjatë plot zvarritje gjyqësore, për vulën dhe logon e PD, mes Sali Berishës dhe grupimit Alibeaj në PD pritet të marrë një përgjigje nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit paraditen e 3 Marsit.
Kur në gjykatë do të jepet vlerësimi për vendimin Zhukri që njeh Berishën si të parin e PD, ish-kryeministri do ti prijë një proteste poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Berisha ngulmon se kjo protestë nuk lidhet me gjyqin e vulës por është në vazhdën e aksionit politik opozitar për largimin e Edi Ramës.