Nxirrte gurë dekorativ nga Mali i Tomorit, procedim penal për 47-vjeçarin, Policia apel qytetarëve
Policia e Beratit ka proceduar penalisht 47-vjeçarin S. Gj., pasi është konstatuar se ai ka nxjerrë pllaka guri dekorative në mënyrë të paligjshme nga Mali i Tomorit.
Policia sqaron se kontrollet për parandalimin e goditjeve të krimeve mjedisore do të vijojnë, e për këtë, apelon qytetarët që të denoncojë çdo rast konstatimi në numrat e telefonit përkatës.
Njoftimi i Policisë:
Berat
Vijon zbatimi i planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht shtetasin:
S. Gj.(B.D)., 47 vjeç, pasi gjatë kontrollit në një ambient të hapur i janë gjetur pllaka guri dekorativ, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në mënyrë të kundraligjëshme në Malin e Tomorit, nga ky subjekt i cili rezulton i palicencuar.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.