Nxitja e punësimit, Klosi në Lezhë, viziton biznesin që kërkon 300 punëtorë

 

Nxitja e punësimit dhe hapja e vendeve të reja të punës ishin në fokusin e vizitës që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi sot në qytetin e Lezhës me përfaqësues të sipërmarrjes, zyrave të Punës, Inspektoratit të Punës, sindikatave të punëtorëve dhe shkollave të arsimit dhe formimit profesional. Në kuadër të kësaj vizite, ai ka vizituar ambientet e fabrikës së këpucëve “Mali”, e cila ka aktualisht të punësuar 200 punonjës, ndërsa kërkon të zgjerojë biznesin e saj dhe për këtë kërkon të punësojë edhe 300 punonjës të tjerë.

 

Referuar pikërisht kësaj kërkese të përsëritur tashmë nga shumë biznese në vend, kryesisht për punëtorë të kualifikuar, e hasur edhe në këtë biznes, ministri Blendi Klosi ka theksuar se kjo është një tjetër dëshmi se, pavarësisht numrit të madh të punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e Punës, ekziston edhe një numër i madh vendesh pune që kërkojnë punonjës të kualifikuar. “Ajo që do donim të evidentonim është se në Shqipëri ka punë, në Shqipëri kërkohen punëtorë, por kërkohen punëtorë të kualifikuar, të cilët jo të harxhojnë një periudhë të gjatë kohe pranë biznesit për t'u kualifikuar, por këtë ta bëjnë pranë shkollave dhe qendrave profesionale, ku mund të marrin zeje dhe zanate dhe të jenë të gatshëm për tregun shqiptar të punës dhe po ashtu për të konkurruar në tregun europian”, – tha ministri Klosi.

 

Nisur nga ky paradoks i evidentuar edhe në Lezhë, ku nga njëra anë ekzistojnë lista të gjata të papunësh dhe nga ana tjetër ka vende të shumta pune që kërkojnë punëtorë të kualifikuar, ministri ka kërkuar edhe një herë nga zyrat e Punës dhe shkollat profesionale që të bashkëpunojnë me biznesin për të marrë prej tij kërkesat dhe për të gjetur punonjësit e duhur. “Zyrat e Punës janë të udhëzuara tashmë që të shndërrohen nga zyra pune pasive, në zyra që janë më pranë biznesit dhe që njohin problematikat e biznesit shqiptar”, – tha Klosi.

 

Ai ka siguruar gjithashtu sipërmarrësin e kësaj fabrike, por edhe biznesin në përgjithësi, se qeveria është e vendosur që të mbështesë financiarisht nismat që sjellin rritjen e punësimit të shqiptarëve, si dhe do t'u sigurojë atyre kualifikimin e punonjësve. “Shpreh gjithë gatishmërinë e institucionit që unë përfaqësoj, duke filluar që nga mbështetja me fonde për nxitjen e punësimit, po ashtu edhe me formimin profesional”, – tha ministri Klosi. Ministri Klosi teksa ka parë nga afër punën që kryhet në këtë fabrikë, është njohur edhe me faktin se kompania “Mali” ka plotësuar të gjitha detyrimet ligjore edhe në aspektin e punësimit të një pjese të punonjësve nga personat me aftësi të kufizuara dhe nga komuniteti rom.

 

“Zoti Mali është për t’u përshëndetur edhe për aspektin human të biznesit të tij, pasi kemi disa persona me aftësi të kufizuara që janë të punësuar në këtë biznes, duke dëshmuar edhe një herë që biznesi shqiptar kur do që të zbatojë ligjet dhe me punë të denjë, mund të plotësojë të gjitha normat”, – tha Klosi. Ai gjithashtu gjatë inspektimit në këtë biznes është njohur edhe me disa raste punonjësish që kishin tentuar emigrimin e paligjshëm në Gjermani dhe që ishin kthyer për të punuar në këtë fabrikë, pasi u ishte refuzuar kërkesa për azil. Ndërkohë që në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e këtij biznesi me drejtuesit e zyrave të Punës, Inspektoratit të punës, drejtuesit e arsimit profesional dhe biznesin, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sigurisë në punë.

 

SHKARKO APP