OBSH në Shqipëri jep njoftimin e rëndësishëm për COVID-19: Ja kur duhet bërë testi për njerëzit

Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri njofton se po ndjek nga afër të gjitha masat e qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Në një postim në “Facebook”, OBSH në Shqipëri bën me dije se vendimi për t’u testuar me COVID-19 duhet të bazohet në faktorë klinikë dhe epidemiologjikë dhe që lidhen me një vlerësim të mundësisë për t’u infektuar.

Njoftimi i OBSH në Shqipëri:

Në shpërthimin e tanishëm epidemik të COVID-19, Zyra e OBSh-së në Shqipëri dëshiron të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj punonjësve të Shëndetit në Shqipëri, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre ndaj qytetarëve në këto kohë të vështira. OBSh-ja dëshiron gjithashtu të përgëzojë qytetarët shqiptarë për bashkëpunimin në zbatimin e masave të marra nga Qeveria për të siguruar distancimin shoqëror. Këto masa janë tanimë mjeti më i fuqishëm që, të gjithë bashkë, kemi për të kapërcyer këtë krizë. Zyra e OBSh-së në Shqipëri po punon duke u koordinuar ngushtësisht me Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të siguruar që vendimet e marra të jenë në përputhje me rekomandimet e OBSh-së.

Në këtë drejtim, ne duam të theksojmë se vendimi për t’u testuar për COVID-19 duhet të bazohet në faktorë klinikë dhe epidemiologjikë, dhe që janë të ndërlidhur me një vlerësim të mundësisë për t’u infektuar. Testimi PCR i kontakteve asimptomatike ose lehtësisht simptomatike mund të konsiderohet në vlerësimin e individëve që kanë pasur kontakt me një rast COVID-19. Protokollet e depistimit duhet të përshtaten me situatën lokale.

SHKARKO APP