OBSH: Remdesiviri të mos përdoret për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka këshilluar institucionet shëndetësore që të mos e përdorin ilaçin antiviral Remdesivir për të trajtuar pacientët me COVID-19, që janë të shtruar në spital. Një panel i OBSH-së tha se ilaçi nuk ka “ndonjë efekt të rëndësishëm” në mbijetesë ose në uljen e kohës së shërimit.

Grupi i Zhvillimit të Udhëzimeve të OBSH-së (GDG) tha më 20 nëntor se nuk kishte “asnjë provë të bazuar në të dhënat aktuale në dispozicion që ky ilaç përmirëson gjendjen e pacientit”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe dhjetëra vende të tjera kanë dhënë miratim të përkohshëm për përdorimin e ilaçit antiviral që e prodhon Gilead Sciences, pasi një hulumtim fillestar tregoi se mund të shkurtojë kohën e shërimit te disa pacientë me koronavirus të shtruar në spital.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili doli pozitiv për koronavirusin në fillim të tetorit, u trajtua me Remdesivir si dhe ilaçe të tjera.

Paneli tha se rekomandimi i tij për mjekët bazohej në të dhëna nga katër hulumtime ndërkombëtare të rastësishme që përfshinin më shumë se 7.000 pacientë të shtruar në spital me sëmundjen.

Provat zbuluan se Remdesiviri nuk kishte asnjë efekt domethënës në uljen e vdekshmërisë, nevojën për ventilim mekanik, kohën e rikuperimit dhe faktorë të tjerë.

Sidoqoftë, paneli tha që rekomandimi i tyre nuk do të thotë që Remdesiviri nuk ka përfitime.

Remdesivir u krijua për herë të parë si një ilaç eksperimental për të trajtuar Ebolën.

SHKARKO APP