Oferta e kandidates së PS-së për votën e durrsakëve, që nga banesat sociale tek infrastruktura dhe turizmi
Nga rindërtimi tek infrastruktura arsimore dhe mbetjet, me këtë bilanc punësh të kryera, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, e cila rikandidon sërish në zgjedhjet e 14 majit për këtë bashki u kërkon votën qytetarëve durrsakë. Emiriana Sako rendit punët e realizuara gjatë drejtimit të saj në një kohë të vështirë në krye të bashkisë, teksa premtoi banesa sociale për çiftet e rinj.
“Jemi me bilanc punësh të realizuara. Kryefjala ka qenë rindërtimi dhe kemi realizuar një volum të jashtëzakoshëm. Kemi bilanc të shtëpive të realizuara në njësi administrative e qytet mbi 700 njësi banimi ku familjet jetojnë brenda tyre. Në proces rindërtimi janë 996 apartamente që po ndërtohen në këtë lagje që një pjesë do shërbejnë edhe për banesa sociale. Bilanc është edhe infrastruktura arsimore. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme, kemi përfunduar 18 objekte. Kemi ende 19 shkolla në proces, është një bilanc që do ta përfundojmë në 2024”,-tha në ”A2cnn”.
Përveç kartës së rindërtimit, Sako theksoi se shkon te qytetarët durrsakë me një program të bazuar në 12 shtylla dhe disa angazhime si pastrimi i qytetit, turizmi dhe shërbimet sociale, të cilave iu është dhënë zgjidhje.
”Sezonin e kaluar nuk kemi pasur probleme kemi pasur shtese së fuqisë së pastrimit. Kemi gjetur zgjidhje definitive dhe sot në vend të Porto Romanos, mbetjet depozitohen në landfildin e Sharrës dhe në Porto Romano kemi një projekt të mirëfilltë. Unë kam hartuar një program që bazohet në 12 shtylla që grupohen në prioritet turizëm, zhvillim urban, shërbime sociale. Ne do të shtojmë suportin për turizmin, duam të rrisim sigurinë jo vetëm në zonat bregdetare e qytet. Mbulimi me kamera sigurie në këto zona. Shërbimet sociale janë një tjetër prioritet. Ne do të ndërtojmë banesa sociale për të akomoduar, kemi kërkesa për familje që duan të mbështeten nga bashkia deri tani e kemi zgjidhur me subvencion nga Bashkia ose kredi të butë, por kemi kërkesa për banesa sociale”,-tha më tej.
Një tjetër prioritet i saj do të jetë edhe zhvillimi urban ku Sako parashikon ndërtimin e një parkimi publik në hyrje të qytetit i edhe në plan më afatgjatë ndërtimin e unazës së madhe të qytetit. E pyetur për performancën e Bashkisë Sako tha se vjelja e taksave ka ardhur në rritje, teksa përmendi mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për investime në qytet.
“Plazhet kanë pasur të ardhura më të ulëta për shkak të pandemisë, kemi rritje me 113% të vjeljes së tarifës së plazheve private por duam të digjitalizojmë shërbimet e bashkisë. Ka mbështetje nga kryeministri Rama për të vijuar investimet për mandatin që presim”.
Përballë kandidatit të saj në garë të Koalicionit Bashkë Fitojmë, Sako tha se avantazhi i saj është puna dhe mbështetja e qeverisë. “Unë nuk jam marrë me rivalin në këtë garë. Nuk kam dëgjuar asnjë program për qytetarët, pro unë fokusin e kam te qytetarët dhe në 14 maj do kërkoj mbështetjen e tyre. Këtë do t’ia lëmë qytetarëve të Durrësit të vendosin. Unë kam bagazh punësh të realizuara. Puna është avantazhi im dhe mbështetja që na jep struktura e PS dhe ekipi i madh. Kam gjëra që do të doja të bëja më shumë apo më mirë, por mendoj që kam dhënë maksimunim. E kam marrë drejtimin në një moment të vështirë. Do të isha kurioze se çka bërë opozita për qytetin”,-tha për ”A2cnn” Sako.