“Ofertat” ekonomike para zgjedhjeve, Çoçoli: Pritshmëri e lartë nga opozita, taska e sheshtë më efektive
Pak orë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha publikoi programin ekonomik për zgjedhjet e 25 Prillit, gazetari dhe drejtuesi i “Ekopolitikë” në RTV Ora, Fatos Çoçoli, i ftuar në edicionin e lajmeve përballë gazetarit Xhoi Malësia, është shprehur se, edhe pse flitet pak për taksa në Shqipëri, kjo nuk do të thotë se qytetarët dhe bizneset nuk janë të interesuar.
“Pritshmëri e lartë është në kampin opozitar. Aty qasja ndryshon kryekëput. Është nisja nga një taksë e sheshtë, një taksë që do të ketë një start të barabartë për të gjithë. Dhe kjo taksë e sheshtë, e premtuar nga PD në masën 9% është në program tani sepse ka qenë një premtim i kahershëm, mendohet se do të nxisë hapjen e vendeve të reja të punës. Si prurje e re, mund të themi, në nivel të politikave ekonomike, është pikërisht premtimet e grupit opozitar, e PD, por edhe të LSI. Sepse ka një qëndrim të dallueshëm por interesant, flitet për të ndihmuar çiftet e reja, për të ndihmuar rininë që të qëndrojë në vend. Dhe është një propozim që çdo vit të kesh 1 mijë euro grant subvencion nga buxheti i shtetit që ti të arrish të blesh një shtëpi”, tha ndër të tjera Fatos Çoçoli.
I pyetur lidhur me dallimin mes taksës së progresive dhe asaj të sheshtë, moderatori i “Ekopolitikë” u shpreh:
“Për mua ka qenë një ideologji e pastër. Për aq sa njoh ekonominë dhe kam një jetë që studioj dukuritë ekonomike të vendit tonë, taksimi është një mjet, nuk është një qëllim më vete. Pra, nuk mund të thuash kam taksë të drejtë apo kam taksë të padrejtë. Ti o ke një sistem taksash që të jep më shumë të ardhura për ti shërbyer më mirë qytetarëve, o ke një sistem që për kushtet e vendit tënd, të ekonomisë tënde nuk e ke shumë efektiv.
Në këtë kuptim, taksa e sheshtë duket si më e pranueshme për nivelin e lartë të informalitetit këtu tek ne. Që sipas Bankës Botërore është diku në 35-40%, ndoshta edhe më shumë. Taksimi i sheshtë ka qenë gjithmonë më efektiv, në atë kohë që është zbatuar, për të krijuar të ardhura më shumë dhe vende të reja pune.
Unë do të largohesha nga ideologjia, taksë e drejtë apo taksë e padrejtë. Janë efikase apo jo për një ekonomi të caktuar”