Oficerët e Policisë çeke patrullim gjatë sezonit turistik

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Çeke, ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme takimet me zyrtarët më të lartë të rendit në këtë vend. Takimin e radhës ministri Lleshaj e ka zhvilluar me Presidentin e Policisë çeke, Jan Švejdar, me të cilin kanë biseduar mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë, veçanërisht në Policinë Rrugore dhe Policinë Shkencore. ”Në kuadër të vizitës në Republikën Çeke, pata një takim me shumë interes me Presidentin e Policisë çeke, Jan Švejdar dhe stafin e tij. Gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme të bashkëpunimit mes dy Policive, me theks të veçantë në fushën e Policisë Rrugore, asaj Shkencore etj”.

Nga ana tjetër, ministri tha se, bashkëpunimi në këtë drejtim me Republikën Çeke do të njohë një implus të ri, ndërsa renditi një sërë projektesh të përbashkëta, ndër të cilat veçoi patrullimin e oficerëve të Policisë çeke në Shqipëri gjatë sezonit turistik. ”Në një të ardhme të afërt do të nisin disa projekte në këto fusha, ku përfshihen teknologjia moderne, patrullimi i oficerëve të Policisë çeke në Shqipëri gjatë sezonit turistik dhe shkëmbimi i informacionit. Niveli i bashkëpunimit Shqipëri-Çeki në fushën policore do të njohë një impuls të ri”.

Në ditën e parë të vizitës së tij në Republikën Çeke, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u prit edhe nga zv/kryeministri dhe ministri i Brendshëm i Çekisë, Jan Hamàček. Homologu çek shprehu mbështetjen e hapur dhe të fortë të vendit të tij, në procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se qeveria çeke kishte lobuar tek vendet skeptike, në favor të një vendimi pozitiv për Shqipërinë pa asnjë kusht.

SHKARKO APP