OFL dërgon letrat e pasuritë tek të “fortët” në Durrës dhe Koplik

Operacioni Forca e Ligjit i ka dorëzuar kërkesën me shkrim dy personave të tjerë të dënuar më parë nga drejtësia në Gjermani dhe në Belgjikë, për të dorëzuar auto-deklaratën për pasuritë e tyre.

Bardhok Pllanaj, banues në Koplik, Shkodër i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore. Pllanaj, njihet si një biznesmen me reputacion në qytetin verior dhe me lidhje të forta politike. Ai është arrestuar në 2018 pasi kishte një palllat 10-katësh, që 44-vjeçari e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente në lagjen “Dobraç”. Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes.

Albert Lame ose Albert Koschiek është emri i dytë që OFL vuri nën shënjestër sot. Pas Pllanajt edhe atij i është kërkuar nga OFL të deklarojë pasurinë në formular brenda 48- orësh. Por për çfarë njihet ai?

Lame është i njohur si koka apo udhëheqësi i ‘Bandës së bananeve’, ku së bashku me disa shqiptarë të tjerë transportonin kokainë nga Ekuadori, në kuti bananesh për të furnizuar qytetet gjermane. Rezulton se lame ka qenë në një grup me Emiljano Hysenaj, që dhe këtij OFl i ka dërguar formularin më herët. Më 2018 një ngarkesë 1.8 ton kokainë u kap në Gjermani e cila vinte nga Ekuadori me vlerë tregu prej 400 milionë euro. Në këtë operacion u përfshinë 500 hetues dhe forca policore gjermane për të arritur në arrestimin e 13 shqiptarëve dhe tre të huajve.

SHKARKO APP