OFL drejt shkrirjes, Lleshaj: Do të kërkojmë shtyrje të afatit të vlefshmërisë së ligjit

Afati i përfundimit të “misionit” të OFL si duket nuk do të jetë 1 janari, siç është lajmërur më herët, pasi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se ligji do të amendohet.

Lleshaj u shpreh në emisionin “Përballë” se afati i vlefshmërisë së ligjit do të shtyhet, në mënyrë që procedurat të cilat tashmë janë pranë gjykatës të mund të mbyllen.

Praktika e këtyre muajve dhe ngarkesa e madhe që solli pandemia ka ndryshuar disa nga supozimet bazë dhe do të na duhet ndoshta që të mendojmë një amendim të ligjit.

Do të kërkohet një shtyrje e afatit të vlefshmërisë së ligjit, që të paktën procedurat që tashmë janë pranë gjykatës të mund të mbyllen. Do të lihet pak kohë, do të kushtëzohen me mbylljen e çdo procesi të nisur“, ka thënë Lleshaj.

Prej shkurt 2020 deri tani ende asnjë proces gjyqësor nuk ka përfunduar me konfiskim të pasurisë për llogari të shtetit. Janë gjithsej 192 kërkesa që ka trajtuar SPAK, nga të cilat ka kërkuar 49 konfiskime por janë ende në proces. Ndoshta me shtyrjen e afatit përtej janarit do të kemi një rezultat të ri ose ky “aksion” i ndërmrrë me shumë bujë thjesht do të përfundojë.

SHKARKO APP