OFL “shkon” në Korçë e Kavajë, katër të dënuarve u kërkohet të deklarojnë…
Tre të dënuar nga Korça dhe një nga Kavaja kanë rënë në rrjetën e OFL-së, për të deklaruar brenda 48 orëve burimet e pasurisë së tyre.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
J. Z., banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
K. P., banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;
Gj. Z., banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentative, kryer në bashkëpunim;
B. D., banues në Kavajë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë.