OFL ”shkrihet” më 1 janar, asnjë pasuri e konfiskuar

Prej 1 janarit të vitit që vjen, s’do të dërgohet më asnjë formular tek të fortët nga Operacioni Forca e Ligjit. Sipas ”Report tv”, pritet që pas disa ditëve të vendoset ndërhyrja në ligj për të zgjatur vetëm afatin e proceseve në hetim dhe ato në gjykim deri në përfundim të tyre. Për subjektet e OFL-së do të vendoset edhe kushti për t’u përjashtuar përjetësisht nga tenderat publik dhe ofrimin e shërbimeve publike. Prej shkurt 2020 deri tani ende asnjë proces gjyqësor nuk ka përfunduar me konfiskim të pasurisë për llogari të shtetit. Mësohet se janë 192 kërkesa që ka trajtuar SPAK, nga të cilat ka kërkuar 49 konfiskime por janë ende në proces.

Sipas ligjit pasuritë e sekuestruara kthehen në kopshte, çerdhe, shkolla apo rajone policie. Objekti i parë i sekuestruar nga OFL-ja ishte resorti ”Golden” në Shijak i Hajrave, i cili aktualisht është i hapur nën administrimin e agjensisë së aseteve të sekuestruara. Akti normativ përcaktonte si afat të përkohshëm (31.12.2020) por OFL-ja ka mundësi rinovimi. Vendimi për mos dërgim formularësh është marrë nga drejtues të OFL-së, dhe pritet të zyrtarizohet edhe ligjërisht.

Prezantimi nga qeveria i aktit normamtiv me qëllim forcimin dhe ashpërsimin e luftës ndaj krimit të organizuar, kaloi tek xixërimat e përditshme të zëdhënëses me syze dielli. Formularët e dërguara tek të fortët dhe videot e efektive të Policisë së Shtetit që shfaqeshin me jelekët e OFL-së, të armatosur gjerë në dhëmbë, bëhen lajm. Kudo në Shqipëri lëviz OFL-ja, shkon në dyert e të fortëve por ndonjëherë ka trokitur edhe në banesat e atyre që nuk jetojnë më. Shkëlzen Dumani u vra gjatë luftimeve në Siri në 2014 por OFL-ja jonë i çoi letrat për vetëdeklarimin dhe justifikimin e pasurisë.

Një fjalë e urtë populle thotë se peshku qelbet nga koka, e teksa Gjermania kapi numrin dy të OFL në korrupsion, ky operacion policor do të bitiset i njëllosur, një kështjellë iluzionare që nuk arriti të rrëzojë të fortët dhe të rrëmbejë pasuritë e tyre, pasi ata po hedhin valle, të lirë mes pasurive marramëndëse. Avokati Bashkim Nikolla, thotë se veprimet e OFL-së i certifikon vetëm gjykata, ndërsa do duhej që OFL-ja të trokiste tek bosët e vërtet.

OFL-ja ka shënuar edhe një rast dështimi, ku pas bujës me formularët e dërguar Lulzim Berishës rezulton se me vendim gjykate tashmë ai ka mundur të marrë jo vetëm automjetin e blinduar por edhe të çlirojë bizneset e tij përfshi dhe ato në hidrokarbure.

Prokuroria e Durrësit liroi nga sekuestroja një sasi prej 1,2 mln litra karburant një shoqërie tregtare ku është aksioner ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha. Sasia e madhe e karburantit e shoqërisë “Rajan 2007” u bllokua pasi Berishës iu dorëzua formulari nga Operacioni Forca e Ligjit në shkurt të këtij viti. Ndaj shoqërisë në fjalë nisi një hetim për “fshehje të të ardhurave”, pas dyshimeve se kishte tregtuar karburant pas 13 shkurtit, ditë kur iu pezullua licenca me kërkesë të Policisë së Shtetit.

Hetimi i nisur në SPAK u delegua më pas për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit, ku dyshimet nuk u provuan. Së fundmi, kjo prokurori vendosi të çlirojë nga sekuestro i 1,2 milionë litra karburant dhe kthimin e sasisë te shoqëria tregtare. Vendim i Prokurorisë u parapri nga një tjetër fitore e Berishës në Gjykatën Administrative të Apelit, që në tetor i ktheu licencën e hequr shoqërisë “Rajan 2007”.

SHKARKO APP