OFL tek vëllezërit e dënuar për trafik droge! Njëri u mor peng

Në sitën e Operacionit Forca e Ligjit, janë vënë dy vëllezër të dënuar për trafik të lëndëve narkotike dhe kanë 48 orë për të deklaruar pasurinë. Ervis Gavelli dhe Leonat Gavelli, të dy banues në Berat sipas OFL-së rezultojnë të dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Auto-deklaratat e tyre do t’i dërgohen më tej Prokurorisë së Posaçme ku pritet që brenda 15 ditëve të merret vendimi për sekuestro nëse a ka dyshime se pasuritë janë vënë nga burime të paligjshme.

Leonat Gavelli është dënuar nga autoritetet italiane si drejtues në një rrjet të trafikut të kokainës nga Kolumbia dhe destinacion tregun e narkotikëve në Zvicër dhe Itali. Në 2015-ën, Leonat Gavelli u mor peng nga persona të armatosur tek Kodrat e Liqenit të thatë në Tiranë, por u la i lirë 8 orë më pas, pa asnjë lëndim nga autorët, të cilët qëllimi kishin vetëm t’i jepnin një mesazh kërcënues.

Vetë Gavelli para policisë tha se personat ishin bindur që kishin ngatërruar person dhe e kishin lënë të lirë. Edhe pse dyshimet e bluve në atë kohë ishin se rrëmbyesit kanë kërkuar vëllain e Gavellit, i cili ndodhej jashtë vendit.

Njoftimi i plotë

Vijon Operacioni Forca e Ligjit.

Në zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.

Në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:

E. G., banues në Berat, dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

L. G., banues në Berat, dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

SHKARKO APP