OFL zbarkon në Korçë e Pogradec, u kërkon llogari për pasurinë 4 personave me precedent penale

Operacioni Forca e Ligjit (OFL), ka zbarkuar sot në qytetet Pogradec e Korçë, ku i ka kërkuar të justifikojnë brenda 48 orëve pasuritë e tyre katër subjekteve.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– E. Ll., banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim;

– A. P., banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”;

– Th. Dh., banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

– V. Z., banues në Korçë pasi Gjykata e Lartë Tiranë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

SHKARKO APP