Oketa: Grupi politik i drejtuar nga Alibeaj do ketë rezultat tejet minimal. Zero shance që Meta të bëhet kryetar i PD-së
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa thotë se grupi politik i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj do ketë një rezultat tejet minimal në zgjedhjet e 14 majit, por kjo datë do i japë përgjigje shumë pyetjeve. Sipas Oketës ka zero shanse që Meta të bëhet kryetar i PD duke shtuar se kjo është një propagandë që i leverids vetëm Ramës.
”Ndodhemi në një fazë të re, zgjedhjet e 14 maji, çështja e përplasjeve brenda PD duhet lënë mënjanë dhe vëmendja e qytetarëve, profesionistëve duhet të përqendrohet tek zgjedhjet, kandidaturat e çdo grupimi. Pjesa tjetër gjykoj se një pjesë e pyetjeve do marrin përgjigje pas 15 majit pasi të shihen rezultatet dhe duhet parë zhvillimet brenda PD dhe asaj që pretendon se është PD zyrtare. Grupimi i Alibeajt me shumë vështirësi ka nxjerrë 14 kandidatë por nuk është çudi të zvogëlohet.
Nëse e shohim ftohtë dhe pa tifozeri diskursin e Ramës në një farë mënyre tregon se s’ka çfarë i thotë shqiptarëve për arritjen e tij dhe vijon me retorikën e vjetër që fatkeqësia është Berisha e Meta. Kur iu desh Meta për qeverisje mori rrugën për në Lalz. Kur e zgjodhi President tha shqiptarëve që është më i miri. Do ishte krejt normale që në vend të fliste për arritjet dhe çfarë gjërash ka bërë mirë, Rama vazhdon me këtë strategji që i mbetet qytetarëve për ta peshuar. Nëse kjo strategji i sjell benefit shqiptarëve, do vlerësojnë. Fakti që Rama nga njëra anë si kryetar njeh Alibeajn apo Bashën, pak a shumë e njëjta gjë dhe në fushatë merret me Berishën dhe Metën ka perceptim që mbështetja e opozitës është më e madhe për atë grupim që përfaqësohet nga ai.
Nuk e shoh një skenar të mundshëm. Meta ka grupimin e tij, është kryetari i PL dhe nuk shoh mundësi që Meta të marrë Partinë Demokratike, është propagandë që i shkon përshtat propagandës së Ramës, për lojëra të ulëta politike. Rama njihet nuk është hera e parë që bën diversione. Me perceptimin tim gjykoj ka zero shanse të jetë kryetar i PD”,-tha në MCN TV”.