Olsian Çela takohet me delegacionin e Zyrës së Prokurorisë Federale të Belgjikës

Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë Olsian Çela priti sot në një takim zyrtar delegacionin e Zyrës së Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, të kryesuar nga prokurori federal Frederic Van Leeuw.

Delegacioni ndodhet për një vizitë zyrtare 3-ditore në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve nënshkruar në Bruksel më 10.05.2011.

Konkretisht gjatë takimit u vlerësua nevoja për të vazhduar në mënyrë të koordinuar me institucionet përkatëse shkëmbimi i informacionit si dhe u diskutua përdorimi i formave të veçanta të bashkëpunimit si skuadrat e përbashkëta hetimore.

Delegacioni belg përfaqësohet në këtë vizitë zyrtare pranë institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme nga Prokurori Federal z. Frederic Van Leeuw, Zëvendës Prokurori Federal z. Eric Bisschop si dhe magjistratë federalë dhe ekspertë ligjorë.

Në kuadër të vizitës, delegacioni i Zyrës së Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës do të zhvillojë takime me Ministren e Drejtësisë Znj. Etilda Gjonaj, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Gent Ibrahimi dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z.Arben Kraja.

SHKARKO APP