“Open Balkan”, Abazoviç në Serbi: Përmirësojmë bashkëpunimin rajonal, por që të mos nxitojmë
Kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në vizitën zyrtare në Serbi, sot është takuar në Beograd me kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadez. Ndër të tjera, Abazoviç tha se mendimi i tij për “Open Balkan” është shumë pozitiv, dhe se tema nuk është trajtuar ashtu siç e meriton në Mal të Zi dhe arsyet për këtë janë të shumta.
“Vendimet duhet të merren në një komunikim shumë të hapur. Nuk ka ndonjë nxitim të veçantë, por të gjithë e njohim nevojën për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Unë nuk do të ndiqja logjikën që kjo të bëhet një temë shtesë, që shkakton përçarje. Gjërat duhet të jenë paraqiten ashtu siç janë. Ndihet një energji që të gjithë duam të ecim ndryshe dhe përpara”,– tha Abazoviç.
Po ashtu ai theksoi se nëse ata përpiqen të jenë pjesë e BE-së, atëherë duhet të japin pak frymë europiane dhe u shpreh optimist se rajoni po shkon në drejtimin e duhur.