”Open Balkan”, Bumçi: Serbia s’ka harmoni me asnjë shtet tjetër
Për ish-ministrin e Jashtëm, Aldo Bumçi nisma ”Open Balkan” është një nismë e Serbisë e mbështetur nga Rusia. Për të Serbia është një shtet që nuk është në harmoni me pjesën tjetër të Ballkanit, por e shikon veten shumë të lidhur me Rusinë dhe Kinën.
“Edhe pa folur Lavrov, gjërat janë të dukshme, por ai e bëri edhe me të qartë. Ai tha që BE dhe SHBA duan një Ballkan të mbyllur për vete, ndërsa ne duam një Ballkan të hapur që të ndikojmë. Ky është thelbi. Nëpërmjet Serbisë, edhe pa e thënë Lavrov, Beogradi është bërë pjesë e Unionit Euroaziatik, ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes me Rusinë, blen armatime nga Rusia dhe Kina.
Ka rritur buxhetin e mbrojtjes. Pse ndodh kjo? Kush e kërcënon? Kemi një shtet në rajon që ka qenë shkaktar i gjenocideve, i cili nuk ka pranuar krimet si Gjermania, por vazhdon të cilësojë shtetësinë e Bosnjës, shtetësinë e Malit të Zi dhe me mosnjohjen e Kosovës.
Kemi një shtet që nuk është në harmoni me pjesën tjetër të Ballkanit, por e shikon veten shumë të lidhur me Rusinë dhe Kinën. Pse Rama rend pas Vuçiç? Nëse ne analizojmë Ballkanin e Hapur, ne nuk gjejmë asnjë interes të shërbyer”.