”Open Balkan”, replika mes presidentes Osmani me kryeministrin Abazoviç
Replika lidhur me nismën rajonale ”Open Balkan”, pati mes Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Gjatë një diskutimi të panelit në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, Abazoviç tha se një pjesë e shoqërisë së Malit të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë.
“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton ”Ballkanin e Hapur”, vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, tha Abazoviç dhe shtoi se sipas mendimit të tij, “problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësinë për ndonjë lloj vizioni”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokracinë dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të [ish-kreut të Jugosllavisë, Slobodan] Milosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që po dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je presidenti i Ukrainës, Volodymy Zelensky apo [presidenti i Rusisë, Vladimir Putin”.
Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”. Osmani shtoi se “në qoftë se nuk e mësojmë këtë leksion nga e kaluara, nuk do të jemi në gjendje që të ecim rrugës së drejtë në kohën kur po ballafaqohemi me luftën në Ukrainë”. Abazoviç duke iu kundërpërgjigjur Osmanit, deklaroi se askush nuk është në situatë që të zgjedhë qeveri në një vend tjetër.