Operacion antikanabis në zonën e Krujës, në terren 15 grupe të FNSH-së

Mëngjesin e sotëm në Krujë kanë “zbarkuar” 15 grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në këtë operacion merr pjesë Policia e Tiranës dhe ajo e Krujës.

Mësohet se operacioni kryhet për asgjësimin e parcelave të mbjella me kanabis sativa në këtë zonë. Sipas burimeve, forcat policore të Tiranës po kryejnë kontrolle sidomos në zonat e Malësisë së Krujës dhe në Nikël.

Duhet theksuar, se sipas policisë, Kruja, Nikla dhe Ishmi janë ndër zonat ku dyshohet se janë mbjellë sasi të konsiderueshme kanabisi.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Brendshme për “News24”, këtë vit ka një shtim të numrit të parcelave të mbjella në qarkun e Durrësit.

Nga 80 parcela që janë evidentuar dhe asgjësuar vitin e kaluar, këtë vit janë mbi 200 parcelat e evidentuara dhe të asgjësuara.

Nuk dihet saktësisht sesa bimë do të asgjësohen gjatë ditës së sotme, por për këtë vit numri i bimëve të asgjësuara shkon mbi 10 mijë. Kjo shifër e bimëve të asgjësuara është e përafërt, pasi detajet e operacioneve nga ana e policisë mbahen sekret. News24

SHKARKO APP