Operacion i madh për asgjesimin e rrjetit greko-shqiptar të trafikut të drogës

Policia greke ka filluar të mërkurën një operacion në shkallë të gjerë, për asgjesimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Operacioni po zhvillohet në Athinë, në Spartë dhe në Prevezë.

Sipas të dhënave të para, janë arrestuar 25 persona. Janë sekuestruar skafe, automjete dhe sasi të mëdha droge, ndërsa është gjetur edhe një plantacion i mbjellë me kanabis në zonën e Spartës.

Rrjeti përbëhet nga grekë dhe shqiptarë. Ata sillnin sasi të mëdha kanabisi nga Shqipëria dhe e trafikonin në Greqi, por edhe jashtë vendit, ku e çonin me skafe.

Një prej të arrestuarve është pjesëtar i policisë greke, që shërbente në zonën e Pireut. Prangat i janë vënë edhe babait të tij.

Hetuesit kanë në duar përgjime telefonike të bisedave që polici i arrestuar kishte bërë me pjesëtarë të tjerë të rrjetit, ndërsa në të paktën një rast, ai vetë ka transportuar drogë me skaf.

Burime të policisë janë cituar të kenë thënë se ndoshta brenda ditës do të ketë njoftime zyrtare për këtë operacion.

SHKARKO APP