Operacioni Forca e Ligjit. Pas Fierit do goditen edhe 4 grupe të tjera
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj iu është përgjigjur deklaratave të opozitës për të, duke i quajtur sulme personale por tha se nuk do të përfshihet në këto debate.
Për sa i përket buxhetit, Xhafaj tha se policia do të pastrohet nga të gjithë të inkriminuarit. Duke komentuar operacionin “Forca e Ligjit” që dha dje goditjen e parë në Fier, Ministri i Brendshëm deklaroi se janë të skeduar edhe 4 grupe të tjerë të cilët do të goditen.
“Buxheti mundëson blerjen e pajisjeve speciale për të luftuar krimin e organizuar. Buxheti mundëson plotësisht realizimin e prioriteteve. Do të vazhdojmë që të godasim kultivimin e kanabisit.
Implikimi i punonjësve të policisë në trafik është një motiv më tepër për t’i hequr nga policia përmes Vettingut. ‘Forca e Ligjit’ do të luftojë krimin e organizuar. Goditja e një prej 5 grupeve të skeduara në atë rajon do të vijojë. Jemi në fund të grumbullimit të të dhënave të grupeve kriminale, një data baze për personat e përfshirë në këtë biznes. Me partnerët tanë ndërkombëtarë po punojmë fort për evidentimin dhe goditjen e marrëdhënieve të tilla. Shkëmbimi i eksperiencave ndihmë e madhe në këtë proces”, theksoi ministri.
Xhafaj deklaroi në seancë se është në këtë detyrë jo për ambicie personale por për t’iu shërbyer qytetarëve e për të siguruar se reforma në drejtësi do zbatohet
“Opozita të bëhet mbështetje pa rezerva. Pa kuptim nëse lidershipi i opozitës vijon me sulme personale. Efikasitetit është zero. Nëse vijon të merret me sulme personale nuk kam ndërmend të humb kohë duke u përfshirë në këtë debat. Jam ulur në atë karrige jo për ambicie personale por për t’iu shërbyer qytetarëve për të siguruar se reforma në drejtësi do zbatohet për të qenë të gjithë të barabartë para ligjit. Nëse diskutohet si ta bëjmë luftën kundër krimit jam gati për debat. Lufta kundër krimit të organizuar sfidë e madhe për të gjithë por nuk kemi zgjidhje vetëm ta fitojmë sepse vetëm kështu do ta çojmë vendin drejt BE-së.