Operacioni humanitar, Xhaçka: Vijon deri në fund të pandemisë
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ndoqi nga afër grumbullimin e pakove për qarkun e Elbasanit në pallatin e sportit si dhe shpërndarjen e tyre për disa banorë në fshatrat e kësaj bashkie dhe asaj të Peqinit.
“Operacioni i nisur dy muaj më parë do të vazhdojë për të ndihmuar që të gjitha familjet në nevojë të përballojnë këtë situatë të vështirë. Unë shpresoj që shumë shpejt t’i rikthehemi normalitetit. Deri atëherë, ne do t’i jemi në krah dhe do të mbështesim çdo familje në nevojë. Përmes operacionit humanitar, mbështetur në një skemë të mirë koordinuar mes shumë institucioneve në dy muaj mbi 370 mijë familje dhe individë janë ndihmuar me ushqime, barna e shërbime të tjera, ndërsa janë shpërndarë nëpër shtëpi rreth 500 mijë pensione në të gjithë vendin”.
Operacioni i shpërndarjes së ndihmave në qarkun e Elbasanit po mbikëqyret nga krerët më të lartë të Forcave të Armatosura dhe do të vijojë në qarqet Shkodër, Lezhë, Korçë, Fier, Berat, Gjirokastër e Vlorë. Paralel me këtë angazhim, Forcat e Armatosura mbështesin Policinë e Shtetit në pika kontrolli apo në patrullime 24 orë në 24.