Operacioni “Ulëza” në Mat, arrestohen edhe 2 persona të tjerë për kultivim droge

Policia e Dibrës ka vënë në pranga dy persona, pasi akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.

Arrestimi i tyre u bë në vazhdim të operacionit “Ulëza”, i cili ka nisur në nëntor të vitit të kaluar. Nga ky operacion ka shkuar në 5 numri i personave të arrestuar.

“Të arrestuarit janë A. L., 42 vjeç dhe A. Gj., 39 vjeç, të dy banues në fshatin Baz, Mat, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat u ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Kutivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu është bërë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për shtetasin M. Gj., 55 vjeç, banues në fshatin Baz, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin në I.E.V.P. Burrel, për veprën penale “Dhuna në familje”.

“Në kuadër të këtij operacioni, më 12 nëntor 2019 janë arrestuar shtetasit R. T., 32 vjeç dhe N. T., 33 vjeç, banues në Ulëz, Mat.

Po më 12 nëntor është arrestuar edhe shtetasi M. Gj., për dhunë në familje, por pas hetimeve me metoda proaktive rezultoi se është pjesë e këtij grupi në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”, sqaron policia.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa rasteve të tentativës për të kultivuar bimë narkotike në zonat malore të Njësive Administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga Policia gjatë kontrolleve të territorit.

Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP