Opozita sot të zgjedhë betejat!

Nga Ylli Dylgjeri

Opozita sot të zgjedhë betejat!
Shqipëria po përjeton ditë pas dite një sërë ngjarjesh që e trondisin gjendjen ekonomike dhe mendore të popullsisë që jeton në të.
Ne ende vuajmë:
– Pasojat që lanë tërmetet e vitit 2019, me njerëzit e lënë në mes të rrugës.
– Pasojat e përditshme të pandemisë, të administruar pa përgjegjësi dhe për të cilën qytetarët janë lënë të veprojnë si në ligjin e xhunglës.
– Pasojat e përmbytjeve të mjediseve prodhuese dhe qyteteve “të rilindura”.
– Avullimin e parave publike nga PPP-të e dashura për rilindjen.
– Rrëshqitjen e rrugëve e shembjen e urave.
– Pasojat e mungesës së strukturës së pushtetit gjyqësor.
– Pushtimin e tokës nga varrezat e ushtrisë së vdekur greke.
– Pushtimin e detit nga politika e gjallë greke, pa përmendur skandalet e tjera të përditshme në tendera, paligjshmëri, etj., për të mbërritur në ngjarjen më të fundit, në dukje “banale”, të nginjes me biftek e bakllava Nus-Reti të një pjese të qeverisë shqiptare.
Në kulmin e kësaj katrahure që rrit zemërimin e njerëzve, Naltgjatësia ynë i ndritur shpalli se në dt. 11 janar 2021 fillon vaksinimi i popullsisë. Të neveritur me propagandën rilindase, filloi kundërreagimi opozitar ironizues e dyshues.
Ky është momenti që çdo gjë opozitare në këtë vend duhet të reflektojë se si do të kanalizohen energjitë në këto pak muaj para zgjedhjeve. A do të vazhdojë Opozita të luajë rolin e ironizuesit për çdo lajm që hedh si karrem Naltgjatësia apo do hidhet ne aksion?
Nëse jo, energjitë kundërshtuese do të shpenzohen kot pa patur rezultat. Sot ishte dita që Opozita të ngrihet e tëra e të heqë duke demaskuar te pakten nje antar nga tavolin së darkes te Nusr-Eti. Nuk ka me” Të mirë” në një krah dhe Zamirë ne krahun tjeter! Parapagimi i tavolines qe Naltgjatesia u rrek te justifikonte eshte njelloj si te parapaguash ne Motele prostitutat para qefit. Ska negocim me parapagim!
Do të ishte veprimi më i zgjuar që opozitarët të mos i kushtojnë asnjë fjalë ironizuese edhe vaksinimit në stadium. Le të merret qeveria me të. Ne i urojmë sukses, se në fund të fundit po bën detyrën që i takon. Edhe propagandën për vaksinimin le ta bëjë qeveria me gazetarët që i ushqen restoranteve të Dubait. Opozitarët kanë të tjera detyra për të kryer.
Unë do të propozoja që opozitarët në këtë moment duhet të përqendrohen vetëm në denoncim dhe vigjilencë. Në mënyrë këmbëngulëse dhe me forcë opozitarët duhet të përqendrohen në denoncimin e oligarkëve që shërbejnë si mburoja përforcuese për këtë qeveri zullumqare; në denoncimin e çdo shkeljeje të ligjit sado e vogël nga qeveritarët dhe administrata; të çdo gënjeshtre që ata i hedhin publikut; të çdo konçensioni e tenderi pa garë që firmosin ministrat tanë; të çdo akti dhune të ushtruar nga forcat policore.
Opozitarët duhet të jenë vigjilentë për të gjitha marrëdhëniet klienteliste që po krijohen me “investitorë” vendas apo të huaj, e që marrin shfaqjen
e shëmtuar të përlarjes së pjatave të biftekut, si dhe të çdo akti ligjor e nënligjor që miratohet pa bujë e zhurmë në qeveri e parlament që konsolidon zullumet e rilindjes, teksa publikut i hedhin sa për zhurmë “lajme-teneqe”.
Opozitarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm që të mos bien pre e diskutimit pafund të skandaleve qeveritare të servirura nga vetë qeveritarët. Në një qeveri hermetike si kjo e rilindjes, nuk duhet të jemi naivë e të kujtojmë se informacionet që i jepen publikut mbi hotelet, drekat e darkat luksoze të anëtarëve të qeverisë dalin si pasojë e ndonjë gazetarie investiguese.
Opozitarët nuk duhet të bien në kurthin e kësaj beteje rilindase. Është momenti që opozitarët duhet të zgjedhin betejat. Vetëm kështu opozitarët do të konsolidohen dhe përkthejnë kundërshtinë ndaj rilindjes, në fitore ndaj saj.

SHKARKO APP