Orë kritike për Janullatosin, mbahet në intubim
Jeta e kryepeshkopit Anasatas Janullatos është ende e paqëndrueshme, sepse vijon të mbetet në reanimacion pas operacionit në spitalin “Evangelismos” të Athinës gjatë paradites të së premtes.
Ai ndodhet në intubim dhe po monitorohet gjatë gjithë kohës nga mjekët, të cilët po vlerësojnë reagimin e tij pas ndërhyrjes. Në njoftimin e fundit për gjendjen shëndetësore të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, pas operacionit, mjekët e spitalit vlerësojnë se 48 orët pas operacionit do të jenë vendimtare.
“Fortlumturia e tij Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas, iu nënshtrua një operacioni urgjent për të trajtuar një episod hemorragjik dhe u transferua sërish i intubuar në reanimacion. 48 orët e ardhshme konsiderohen kritike”, thuhet në njoftimin e spitalit. Janullatos është shtruar në spital në fund të dhjetorit, dhe për shëndetin e tij janë mbajtur mesha me lutjen e mijëra besimtarëve në kishat ortodokse të vendit.