OSBE i dhuron pajisje të teknologjisë së informacionit Departamentit të Kufirit dhe të Emigracionit në Policinë e Shtetit

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i dhuroi sot Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit të Policisë së Shtetit pajisje të teknologjisë së informacionit me vlerë 22 000 euro. Pajisjet e dhuruara përfshijnë 12 laptopë, 11 projektorë multimedialë, tetë printera shumëpërdorimësh dhe 11 ekrane projektorësh. Pajisjet do të shpërndahen në shtatë drejtori rajonale të Kufirit dhe Emigracionit dhe në tri komisariate të Kufirit dhe të Emigracionit, me synim fuqizimin e aftësive trajnuese të kësaj trupe policore.

Pajisjet u dhuruan si pjesë e një projekti që Prezenca e OSBE-së nisi, vitin e kaluar, në mbështetje të Policisë së Shtetit, pjesë e së cilës është edhe Departamenti i Kufirit dhe I Emigracionit. Projekti ka për qëllim përdorimin e metodave të përparuara mësimore nga ana e Departamentit me anë të infrastrukturës moderne të teknologjisë së informacionit dhe të instrumenteve online të ofruara prej saj. Objektivi kryesor i projektit është plotësimi i nevojave në rritje të Policisë së Shtetit për realizimin e të nxënit të vijueshëm dhe rritjen e aftësive të personelit të saj, pavarësisht nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia COVID-19.

Prezenca do të vazhdojë ta mbështesë Policinë e Shtetit, duke vënë në përdorim një sistem menaxhimi mësimor, gjatë këtij viti. Po ashtu, do të sigurohet një licencë e aplikacionit Zoom, e cila do të lehtësojë zhvillimin e veprimtarive trajnuese online nga Policia e Shtetit dhe nga Akademia e Sigurisë.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një bashkëpunim të gjatë me Policinë Kufitare dhe të Migracionit dhe punon me të për të zhvilluar protokolle të përbashkëta dhe qendra të bashkëpunimit policor. Ajo ofron edhe rritje të kapaciteteve për një kontroll më të mirë të kufijve të Shqipërisë ndaj veprimtarive kriminale si trafikimi i drogës, trafikimi i personave, migrimi i parregullt dhe luftëtarët e huaj terroristë. ​

SHKARKO APP