OSBE mbledh të rinj nga Ballkani në Gjirokastër: Të mësojmë nga më të moshuarit rreth perlave të trashëgimisë kulturore
Në datat 24-28 gusht 2022, njëzet aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Tiranë dhe udhëtuan drejt Gjirokastrës për të diskutuar, mësuar dhe hulumtuar qasjet lidhur me ndërveprimin social dhe promovimin e demokracisë, paqes dhe sigurisë përmes dialogut mes brezave.
Që nga viti 2017, “Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së kanë sjellë së bashku qindra të rinj nga rajoni për të krijuar një platformë të përbashkët për promovimin e vlerave demokratike, bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë. Edicioni i shtatë i “Shtigjeve Rinore” pati në qendër të tij dialogun mes brezave në formimin e ndërveprimeve sociale, promovimin e vlerave demokratike, krijimin e marrëdhënieve të mira dhe kontributin për paqen dhe sigurinë në nivel vendor dhe rajonal.
Pjesëmarrësit diskutuan hendekun e komunikimit mes brezave dhe efektet e tij gjatë punës në grup, si dhe implikimet e përjetuara dhe rezultatet e punës në grup. Diskutimet u moderuan nga ekspertë të fushës dhe pjesëmarrësit u pajisën me njohuri dhe resurse për të reflektuar dhe vepruar në ndërtimin e urave të reja të komunikimit me bazë kulturore.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit morën pjesë në seminare të ndryshme lidhur me temat e rrëfimit, rolin e gruas dhe dinamikat e pushtetit, si dhe ndërveprimin ndër breza, me qëllim reflektimin dhe nxjerrjen në pah të praktikave të mira, për të kuptuar si duhet ndikimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së komuniteteve, si dhe për rrjedhojë vetë procesin e demokratizimit.
Pjesëmarrësit dëgjuan nga familjet vendase për sfidat e ruajtjes së konceptit të vjetër të familjes tradicionale në kontrast me jetën moderne, kontributin e figurave historike për lirinë, si për shembull intelektualja gjirokastrite Musine Kokalari. Ata e bënë këtë përmes fjalëve të njërës prej pasardhësve të saj, si dhe vizituan punishten e një marangozi që demonstroi zanatin e vjetër të punimit të drurit dhe sfidën për ta përcjellë këtë traditë brez pas brezi.
“Më lanë shumë mbresa pikturat e arta në tavanet e shtëpive të vjetra gjirokastrite, sepse kur në to bie drita, rrëzëllimi që krijohet na kujtojnë bukurinë e ditës së re që duhet jetuar dhe festuar për të gjithë familjen”, tha një nga të rejat pjesëmarrëse. Një tjetër i ri pjesëmarrës foli për atë se si, “ruajtja e trashëgimisë kulturore fillon nga të kuptuarit e saj, të logjikës pas saj, si dhe të historisë që ajo mishëron”. “Kur të kthehem në shtëpi, do të kem shumë pyetje për t’i bërë gjyshes sime,” tha ai.
Gjatë katër ditëve të mbushura me veprimtari, pjesëmarrësit punuan së bashku për të evidentuar elemente të trashëgimisë kulturore, parë këto në këndvështrimin e bashkëpunimit ndërmjet brezave, si dhe shqyrtuan mundësitë për ndërveprim mes brezave në komunitetet e tyre përkatëse.