OSBE-së mbështetet dialogun për të kaluarën totalitare të Shqipërisë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e ambasadës gjermane, vuri dje në skenë një dramë që reflekton të shkuarën totalitare të Shqipërisë.

Shfaqja “Ata hyjnë pa trokitur” përqendrohet te një çift bashkëshortësh, të cilët presin që policia t’u vijë në derë për t’i çuar në burg – apo më keq – për arsye të paditura. Rreth 300 spektatorë, në teatrin e mbushur plot, ndoqën dramën, e cila riktheu në kujtesë atmosferën e frikës dhe mbikëqyrjes së vijueshme, që mbizotëronte gjatë regjimit të kaluar totalitar.

“Megjithëse nuk është asnjëherë e lehtë të flitet për një të shkuar të dhimbshme, shoqëria ka nevojë të përfshihet në një bashkëbisedim për krimet e së shkuarës dhe arti është një mënyrë për të nxitur një dialog të tillë, pasi ai na flet në shumë nivele”, tha ambasadori Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. “Ky duhet të jetë tërësisht një proces shqiptar; ne vetëm ofrojmë kornizën ku të zhvillohet ky dialog.”

Prezenca e OSBE-së dhe ambasada gjermane e nisën projektin për të mbështetur dialogun kombëtar për të shkuarën totalitare të Shqipërisë një vit më parë. Nën moton “Fillojmë të flasim”, Prezenca ka mundësuar, deri tani, diskutime me nxënësit e shkollave të mesme, një sërë debatesh televizive të transmetuara në televizionin publik, si dhe një anketë kombëtare për njohuritë, perceptimet dhe pritshmëritë e publikut për dialog lidhur me të shkuarën totalitare të Shqipërisë.

“Ata hyjnë pa trokitur” është shfaqur më parë në Shkodër, si pjesë e projektit, dhe do të vihet në skenë edhe tri herë të tjera, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, gjatë këtij viti. 

SHKARKO APP