OSBE: Shumë media, por pak informacione

 

“Me shikim të parë, peizazhi mediatik në Shqipëri duket mjaft i gjallë e dinamik, ku numri i mediave vizive, dixhitale dhe të shkruara është i madh në raport me publikun relativisht të vogël në numër. Shifrat të tundojnë të besosh se Shqipëria ka pluralizëm mediatik të mirëbalancuar, ku publiku gëzon një gamë të gjerë zgjedhjesh.

Por, po ta shohësh nga afër, kupton se ky numër i madh subjektesh mediatike ofron në fakt, përmbajtje shumë të kufizuar dhe është shpesh i bujshëm dhe me besueshmëri të kufizuar".

Kështu u shpreh kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, gjatë forumit "Për Zhvillimin e medias”, një tryezë e rrumbullakët kjo, ku profesionistët e medias diskutuan për çështjet kryesore të saj në Shqipëri.

Sipas tij, gjithashtu, media përqendrohet shumë në çështjet e brendshme, që rezultojnë në problematika për të cilat publiku mediatik shqiptar ka pak njohuri se çfarë ndodh jashtë Shqipërisë, sidomos në vendet fqinje.

“Transformimi kurrë nuk është proces i lehtë. Përmirësimi i pozitave të medias në Shqipëri kërkon angazhim të qartë dhe të gjerë politik, por edhe angazhimin dhe aktivizimin e vetë gazetarëve dhe shoqërisë civile me profil mediatik. Për këtë arsye, nevojitet dialog profesional, si ky që parashikohet të zhvillojmë në këtë forum sot”, përfundoi ai.

 

SHKARKO APP