OSBE zbuloi mashtrimin e presidencës së OSBE me paketën “antishpifje”
Drejtimi 12 mujor i OSBE-së nga Shqipëria nuk ka nisur me këmbën e mbarë. Më 9 janar, kur Edi Rama mori presidencën e organizatës më të madhe në botë, deklaroi se pjesë e kontributit të kësaj strukture në Shqipëri ishte dhe hartimi i paketës ligjore kundër shpifjes. I pyetur nga gazetarët që e shoqëronin në Vjenë, për ligjin që cenon lirinë e medias dhe nga një pjesë e shoqatave mediatike është cilësuar si rikthim i censurës, Edi Rama tha se paketa ligjore ishte miratuar bashkë me OSBE-në dhe Përfaqësuesin e saj për Mediat.
“Gazetarët e pakënaqur me ligjin, duhet të lexojnë ligjin, por kjo nuk është një çështje e OSBE-së. OSBE-ja e ka miratuar plotësisht draftin që ka kaluar në parlament dhe si kryetar i qeverisë dhe i maxhorancës, unë them që jemi të gatshëm dhe të ofrojmë kushte, salla leximi, asistencë teknike për lexim që kush është i pakënaqur nga ligji, të lexojë ligjin sepse pakënaqësitë e ekspozuara mua dhe ne na kanë treguar se vijnë si rezultat i mos leximit të ligjit”,- deklaroi kreu i qeverisë nga Vjena.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe kur ligji i medias u miratua me një procedurë të paqartë ligjore më 18 dhjetor. Kritikave që vinin edhe nga një pjesë e deputetëve për rrezikun e kontrollit mbi mediat nga ana e qeverisë, kryeministri ju përgjigj se nuk kishte asnjë shqetësim, pasi ligji ishte miratuar në bashkëpunim të ngushtë me OSBE. Ky argument i dakordësisë me OSBE për ligjet e gjobave ndaj mediave u përdor edhe dje nga ana e numrit dy të PS-së, Taulant Balla. Kur u pyet nga gazetarët për mos dekretimin e paketës ligjore nga Presidenti Ilir Meta, Balla sulmoi kreun e shtetit dhe u mbrojt sërish me mbështetjen që i ka dhënë ligjit OSBE.
Çdo kritikë që u është bërë ligjeve, nga PS ka marrë përgjigjen se “këtë punë e di OSBE”. Dje OSBE, jo ajo e Presidencës së radhës, por Zyra e OSBE për Lirinë e Medias në Vjenë rrëzoi gjithë mashtrimin e qeverisë për paketën anti-shpifje. Në reagimin e tij ka jo pak elementë që tregojnë se qeveria “Rama” ka zgjedhur të tallet edhe me ndërkombëtarët dhe OSBE-në që vet drejton. Së pari, OSBE e thotë hapur se ligji nuk përfaqëson standardet ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, rezulton se qeveria “Rama” ka hartuar një ligj që nuk ka firmën e OSBE. Përfaqësuesi i OSBE-së për shtypin, Harlem Desir tha të hënën se ai është i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit, veçanërisht atyre pjesëve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar. E thënë ndryshe, qeveria “Rama” ka miratuar një ligj që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare. Zyra e OSBE për Mediat thotë se “rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”.
Pra ligjet e Ramës kundër medias, jo vetëm s’janë hartuar bashkë me OSBE para votimit, por janë në kundërshtim me parimet e kësaj organizate. Në këtë bllof të qeverisë edhe më i turpshëm është fakti se mashtrimin e Presidencës së Radhës së OSBE-së e ka nxjerrë vet OSBE. Praktikisht qeveria kreu një shpifje ndaj OSBE-së me paktën “antishpifje”.
Mili Xhani
Lexoni edhe…
- OSBE braktis Ramën për “anti-shpifjen”: Ka të drejtë Presidenti Meta
- Zëri i Amerikës: Meta kthen ligjet për mediat, bien ndesh me parimet demokratike
- Pollo: Kthimi i ligjit nga Meta, mundësi për të ruajtur një themel kushtetues të demokracisë
- Unioni i Gazetarëve: Kthimi i ligjit konfirmon drejtësinë kauzës sonë
- Presidenti Meta, mesazh qeverisë: Reflektim dhe jo kokëfortësi drejt autoritarizmit