OSSH: Kontrolle dhe rikuperim i humbjeve të energjisë, 42 procedime në polici, masa për elektricistët
Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve, strukturë brenda Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH Sh.A), është duke ushtruar kontrolle përmes 12 grupeve në të gjithë vendin.
“Në fokus të punës është zbulimi i vjedhjes së energjisë elektrike dhe rikuperimi i humbjeve në sistemin shpërndarës”, deklaroi Armand Zhuka, drejtori i departamentit.
Si rezultat i kontrolleve në muajin janar, janë zbuluar dhe proceduar 42 abonentë për vjedhje të energjisë elektrike, përmes skemave të ndryshme, si furnizim me linjë të dytë, konsum energjia pa kontratë dhe ndërhyrje në matës. 10 abonentë rezultuan konsumatorë privatë, pra biznese. Bazuar mbi provat, abuzimi është kryer në bashkëpunim me elektricistët, por edhe në kushtet e neglizhencës, ndaj OSSH mori masa për 6 punonjës.
Struktura e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve është njësi e posaçme për realizimin e operacioneve në terren kundër abuzuesve me ligjin dhe nuk ka qëllim në vetvete procedimin (nga policia gjyqësore), por tashmë me miratim nga ERE (Enti Rregullator i Energjisë), “faturimin” e kilovatëve të vjedhur/humbur.