Pa garë edhe në Elbasan/ Në 51 tendera ose vetëm një garues, ose skualifikohen konkurrentët

Bashkia e Elbasanit nën drejtimin e Gledian Llatja nuk bën përjashtim nga institucionet që prokurojnë tendera pa garë.

Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike ky institucion ka zhvilluar në 1 vit e gjysëm të paktën 86 procedura në 51 prej të cilave ka mbetur vetëm 1 subjekt në garë.

Pas konfirmimit të Llataj si kryebashkiak, në 32 tendera pjesëmarrëse rezulton të ketë qenë vetëm 1 kompani që automatikisht është shpallur dhe fituesja.

Ndërsa në 19 raste të tjera në garë ka mbetur vetëm subjekti fitues pasi pjesëmarrësit janë skualifikuar për mosplotësim pikash, kriteresh apo mosparaqitje oferte.

Në këtë mënyrë është vepruar edhe në në tetor të këtij viti për rikonstruksionin e konviktit të vajzave “Ymer Tola” të shkollës pedagogjike.

Referuar të dhënave publike, për këtë kontratë kanë shfaqur interes 5 kompani, 4 prej të cilave janë skualifikuar.

Dy prej tyre janë skualifikuar pasi nuk përmbushnin kriteret e përcaktuara në dokumentat standarte të tenderit, një tjetër pasi nuk kishte paraqitur ofertë, ndërsa operatori i katërt nuk i ka dhënë shpjegime bashkisë së Elbasanit në lidhje me kërkesën për ofertën anomalisht të ulët.

Në këtë mënyrë i vetëm në garë ka mbetur Bajrami N Shpk, i cili kishte dhe ofertën më të lartë dhe u shpall fitues i kësaj kontrate për vlerën prej 26.7 milionë lekësh.

Bashkia e Elbasanit nën drejtimin e Gledian Llataj për 86 procedurat e zhvilluara në një vit e gjysëm ka prokuruar më shumë se 500 milionë lekë. /Ora News

SHKARKO APP