Ndoka zbardh skenaret e opozitës: Rama, matrapaz. Askush nuk do të shkojë me të mbyturin!
Ndërsa mazhoranca pritet të kalojë nesër në Kuvend në mënyrë të njëanshme ndryshimet e kodit zgjedhor sipas propozimeve nga vetë ajo, për kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, një situatë e tillë është e trishtueshme pas 30 viteve pluralizëm.
Ai thotë se e sheh me shqetësim rrëshqitjen e kryeministrit Rama si personazh politik.
Ndoka: E trishtueshme kur mendon se në 30 vite pluralizëm një parti politike si Rilindja vendos rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme. Është absurde.Po penalizon Shqipërinë në rrugën tonë euroatlantike.Gjithë faktori ndërkombëtar është kundër tij, për shkak se detyra kryesore ishte reforma zgjedhore me konsensus. Së dyti e shikoj me trishtim rrëshqitjen e zotit Rama si personazh politik, kam pritur të vendosë disa standarde në politikën shqiptare. Në 8 vite jo vetëm nuk vendosi asnjë standard, por i shembi edhe ato që gjeti. Nuk na tremb ne përballja me këtë mazhorancë, çfarëdo mekanizmash që do miratojë nesër Rama, ne kemi mundësitë tona të organizimit, do ta fitojmë përballjen me të me çfarëdo lloj formash dhe mënyrash.
I ftuar në Ora News, Ndoka shprehet se Rama ka dalë nga shinat institucionale dhe duhet larguar me gjitha mënyrat nga skena politike.
Ndoka: Është rasti i parë dhe unikal që një personazh ka kapur parlamentin, të gjitha sistemet, i bën luftë tre herë në ditë presidentit të Republikës, është produkt që ka dalë nga shinat institucionale dhe duhet ta largojmë me të gjitha format dhe mënyrat këtë personazh nga politika shqiptare.
Teksa Kuvendi pritet të zyrtarizojë nesër ndalimin e koalicioneve parazgjedhore sipas formulës aktuale, Ndoka thotë se opozita është e përgatitur për të gjitha skenaret.
Ndoka: Ka disa skenare, nuk është se jemi të papërgatitur.Nuk kemi pritur që ky personazh do të ndryshojë qasje, do të respektojë marrëveshjet. Kemi respektuar veten tonë, përgjegjësinë në raport me qytetarët dhe ndërkombëtarët, detyrat që opozita kishte për integrimin.Jemi të përgatitur edhe për ekstremin më të keq, nuk na frikëson.
Ndërsa ka zëra se mund të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit me dy koalicione, Ndoka thotë se të gjitha mundësitë janë të hapura, por vetë ai preferon garimin si një bllok i tërë.
Ndoka: Të gjitha mundësitë janë të hapura. Duhet ta shohim me qetësi, me një marrëveshje, çdo kalkulim që është në interes të opozitës së bashkuar që të dalim një mazhorancë nesër për të qeverisur vendin.Padyshim që do të ketë një marrëevshje paraelektorale edhe nëse do të ketë dy ose tre grupime në opozitë… Gjykoj që opozita do të ishte mirë të përballej në një formacion të vetëm që të maksimalizojmë votat tona. Padyshim që qytetarët do ta ndëshkojnë në mënyrë ekzemplare zotin Rama dhe Rilindjen me votë, por nuk do të doja të ishte thjesht një ndëshkim, por të jetë një votë edhe pro opozitës.
I pyetur nëse ekziston rreziku i blerjes së mandateve në radhët e opozitës nëse PS del forcë e parë në 25 prill, Ndoka jep këtë përgjigje:
Ndoka: Rama u shfaq si matrapaz i tillë, ka blerë disa deputetë në kuvend edhe nga opozita por nuk na frikëson. Cilido qoftë çmimi i Ramës, ai ka bërë 1001 mëkate që nuk mund të ketë politikan që ti bashkohet Ramës. Nuk ka çfarë ti japë më qeverisjes së vendit. Nuk shohim frikë apo panik që dikush do ti bashkohet fundit të zotit Rama, askush nuk dëshiron të shkojë me të mbyturin apo me një njeri që sot është “non grata” te qytetarët e përgjegjshëm të vendit, qoftë edhe ata që e kanë votuar.