Pa maska e distancë/ Tregu i Kombinatit plot me njerëz, qytetarët: Qeveri karnavale, nuk prish qejf për vota
Ndërsa në çdo cep të Tiranës kanë filluar kontrolle të rrepta për mbajtjen e maskës dhe ruajtjen e distancës në hyrje të tregut të Kombinatit mungojnë kontrollet.
Zbatimi i masave anti-Covid është lënë vetëm në dorë të qytetarëve dhe kësaj tabele të dëmtuar.
Tregtarë dhe blerës më së shumti kujdesen të mbarojnë punë se sa ruajnë distancën.
Mes tyre ka edhe nga ata që nuk mbajnë maska ose që e mbajnë keq.
Mungesën e maskës disa e justifikojnë e disa nuk dinë të përgjigjen.
“E kam vënë këtë maskën kështu, më zihet fryma, nuk e mbaj dot.”
“Maskën e harruam se ishim brenda në klub.”
Grumbullimet në tregje apo në ambiente të tjera qytetarët i konsiderojnë të rrezikshme, dhe përgjegjës kryesor për mungesën e kontrolleve bëjnë qeverinë.
“Shumë keq, e ka fajin qeveria që nuk vë ligjin që në 7, unë kam djalin dhe më vjen në 12 të natës.”
“Është qeveri karnavale, vë gjoba dhe i heq gjobat. Po pate maskën je i mbrojtur. Nuk duan të prishin qejfin me njerëzit se u japin votën.”
Në fillim të pandemisë tregjet ishin nga më të kontrolluarat, me forca policie e tunelë dezinfektimi, ndërsa sot kur situata pandemike është më e rrezikshme, masat janë neglizhuar totalisht. /Ora News