Pa maska në rrugë, 1307 qytetarë të gjobitur në fundjavë
Gjobat ndaj qytetarëve që nuk vënë maska në rrugë, nuk kanë të sosur nga Policia e Shtetit. Gjatë fundjavës janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1307 qytetarë që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Po ashtu 13 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Nga ana tjetër, gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
3 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili. Policia krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin.