Pa maska në rrugë, 717 gjoba në 24 orë
Shumë qytetarë vijojnë ende të mos jenë të ndërgjegjësuar për vendosjen e maskës kudo. Policia e Shtetit, bën me dije se në 24 orët e fundit ka ndëshkuar me masë administrative 717 qytetarë që u konstatuan pa maskat mbrojtëse.
“Në zbatim të masave anti-Covid, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 717 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë”, thuhet në njoftimin e policisë.