Pa maska në rrugë, gjobiten 1325 qytetarë për 2 ditë
Policia e Shtetit nuk ka të ndalur në aksionin për monitorimin e qytetarëve nëse mbajnë maska në rrugë. Gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1325 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 14 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar edhe 4 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për secilin prej subjekteve është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë. Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve në dy ditët e fundit janë konstatuar 16 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 22:00, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
”Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anti-covid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00”,-thuhet më tej në njoftimin zyrtar.