Pa maska në rrugë, në 3 ditë Policia vë 1191 gjoba. 21 të shoqëruar

Një javë më parë, kryeministri Edi Rama bëri me dije vendimin për mbajtjen e maskave me detyrim edhe në ambient të jashtëm. Dhe në vetëm 3 ditë nga fyrja në fuqi e vendimit, Policia e Shtetit zbulon se ka vënë 1191 masa administrative prej 3 mijë lekësh. E përkthyer në gjuhën e shifrave arrijnë në 3 milionë e 573 mijë lekë. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as qytetarët e shoqëruar në polici, 21 të tillë të cilët nuk kishin mjet identifikimi me vete apo kundërshtuan punonjësin e policisë. Të angazhuar për zbatimin e këtij rregulli janë efektivët e policisë së rendit, rrugores dhe specialistët e zonës. Monitorimi I qytetarëve në rrugë apo në zona të banuara kryhet nga efektivët e policisë së rendit dhe specialistët e zonës.

Për kontrollin e automjeteve janë angazhuar punonjësit e rrugores dhe nëse qytetarët në rast se udhëtojnë të vetëm nuk e kanë detyrim mbajtjen e maskës, ndërsa barriera mbrojtëse duhet përdorur në rast se në makinë qarkullojnë më shumë se 2 persona. Në rastet kur qytetarët konstatohen pa maskë dhe me vete nuk disponojnë kartën e ID, efektivi do të ndërmarrë shoqërimin e tij në komisariat për të bërë identifikimin e tij e më pas vendosjen e masës administrative.

”Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi. Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me Covid-19”,-thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Edhe pse qeveria vendosi që maskat do të mbahen kudo, qytetarët ankohen se çmimet e këtyre barrierave mbrojtëse janë të larta krahasuar me të ardhurat e tyre. Mbajtja e maskave për një kohë të gjatë u ka sjellë problem të moshuarve, që thonë se ndiejnë vështirësi në frymëmarrje. Bluzat e bardha rekomandojnë që maska të ndërrohet shpesh, pasi akumulon sasi bakteresh, por në pamundësi për të blerë maskën kirurgjikale, shumë qytetarët kanë zgjedhur të mbajnë ato artizanale shumë përdorimshe.

Sa i përket gjobave për mosmbajtjen e maskave të fytyrës, kreu i PD-së Lulzim Basha ka thënë se gjobat për Edi Ramën janë një mjet për të mbushur buxhetin. ”Aq sa luftohet Covid-19 me autoblinda, aq luftohet edhe me gjoba. Asnjë masë e marrë në shkelje të të drejtave të qytetarëve nuk njihet nga ne. Jo vetëm kjo, por ata që i kanë marrë këto masa do të mbajnë përgjegjësi. Prandaj i ka kapur paniku se e dinë çfarë i pret pas 25 prillit”.

Në vetëm një ditë, Policia e Shtetit vendosi 370 gjoba. Po vetë qytetarët ç’mendojnë për këtë gjobë? A iu duket ajo e drejtë dhe e përballueshme? “Jo, se populli është shumë i varfër. Vetëm për këtë”, shprehet një qytetare. “Kjo është një masë ekstreme le të themi. Ose bëhet për shkaqe politike, më shumë edhe për pjesën e stimulimit të tenderave për maskat që mund të jetë me fitim ose thjesht të mbushet buxheti i shtetit”, shton një tjetër. Në ditët e para të hyrjes në fuqi të aktit normative dallohet një përgjigje konkrete nga ana e popullatës, mesa duket më tepër si masë mbrojtëse për shëndetin por edhe për të mos paguar 3 mijë lekë nga xhepi.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/791912208275761/?__xts__[0]=68.ARCbGrexFyHwAUsRYtQCEah0MwXBdxX3SqiK1nFv5x9Y0mNLs0DOhHdZQb6ygSf37K49_w9wGmf7VwyeB4MjYjWyzilWR7m6W77p9fqJAawRtIn3ujgIRNVRPlOjAXwh31vzht-XsQvvy1zHYXw78d9J_D2chOfsAnW5yDmR-G5ajjgkL89Au7kJRecOqvyQE85rDapf9wr_TayWuIJxdlWa112KLfZSbHmQT1OkacCzR-5ZgbS31pnrckg00Iy2jua9E8OGMSEb9p08W4lggFuWoAtkOyoK5gOXSetF-FLRb_lOsysis3jl–PfGyfLOFBPl4CdyjyU8beSCiJo1l9cW0rPiZo1vAJhbQ&__tn__=-R

SHKARKO APP