Pa maska në rrugë, policia: Gjobiten 874 qytetarë, shoqërohen 9 të tjerë

Vijonë kontrollet e autoriteteve për respektimin e masave anti-COVID. Policia e Shtetit bën me dije se gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin, efektivët e policisë kanë ndëshkuar me gjobë prej 3.000 lekë secili, 874 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet komisariateve në të gjithë vendin, 9 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit. Pasi janë identifikuar ata janë ndëshkuar me gjobë dhe më pas janë lënë të lirë.

Ndërsa gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë anti-COVID. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 10 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

SHKARKO APP