(Pa) siguria në plazhe, për tragjedinë në Vilë-Bashtovë ”kurban” bëhet administratori i plazhit
Plazhe që dynden nga shezlongë lukis, por kur vjen puna te kushtet minimale që duhet të plotësohen për sigurinë e atyre pushuesve që paguajnë, askush nuk kujdeset. Qytetarët apelojnë për më shumë kujdes nga vetë pushuesit.
Për tragjedinë në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku babai me dy djemtë e mitur humbën jetën, është arrestuar nga policia administratori i pjesës së plazhit. Bëhet fjalë për shtetasin Pëllumb Nika, i cili sipas policisë nuk kishte marrë masa për sigurinë e jetës së pushtuesve. Gjithashtu, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës në pjesën bregdetare që kishte marrë me qira nga Bashkia e Rrogozhinës.
Inspektorë të Agjencisë Kombëtares të Bregdetit, shoqëruar edhe nga policia bashkiake kanë zbarkuar në terren, si gjithmonë kur ndodh një tragjedi. Aksioni shtrihet në plazhin e madh të Durrësit, në plazhet e Katundit të ri, në Spille dhe Vilë-Bashtovë. Vetëm në plazhin e Durrësit nga ura e Dajlanit deri në vendin e njohur si pista “Kosova”, task-forca ka konstatuar 15 subjekte me shkelje.