PAA kundër kërcënimeve të Ramës, bën thirrje për respektim të masave të sigurisë
Partia Agrare Ambientaliste (PAA) bën apel publik për respektimin rigoroz të protokolleve të
masave që reduktojnë maksimalisht përhapjen e koronavirusit. PAA është kundër deklaratave
të kryeministrit Rama, i cili dështimin e menaxhimit të situatës pas hapjes graduale tenton ta
fshehë me mesazhe kërcënuese që përhapin panik, vrasin shpresën si dhe rrënojnë jetët e
individëve, familjeve dhe biznesit.
Gati të gjithë liderët në botë po përdorin optimizmin për të luftuar pandeminë, vetëm pak
liderë jo demokratikë po përdorin frikën. Liderët në të gjithë botën janë fokusuar tek
këndvështrimi dhe angazhimi i përkushtuar pozitiv i hapjes së ekonomisë, kthimit të shpresës
dhe normalitetit.
Garantimi i hapjes së ekonomisë pa nënvlerësuar jetën e asnjë individi është detyra jetike e
Qeverisë dhe jo dhuna kërcënuese në komunikim dhe marrëdhëniet publike. Zgjidhja nuk
është kthimi i mbylljes por ndërgjegjësimi publik për respektimin maksimal të masave që
reduktojnë përhapjen e pandemisë edhe në kushtet kur ekonomia bëhet funksionale.
Ky këndvështrim pozitiv krijon premisa për bashkëveprim të ndërgjegjësuar, i cili është
strategjia më e sukseshme parandaluese.
Filozifia e përhershme e qeverisjes së Ramës ka qenë ngjallja dhe keq përdorimi i frikës dhe
panikut. Paniku e ushqen krizën, nuk e vret atë. Rama duhet të qartësojë përse aktualisht
pjesa më e infektuar po rezulton në adminstratën publike, që minimalisht duhet të jetë pjesa
më e ndërgjegjësuar e respektimit strikt të protokolleve parandaluese.
Qeveria por edhe të gjithë shqiptarët duhet të përkushtohen vetëm për një zgjidhje – kthimin
në jetën normale, rikthimin e aktiviteteve ekonomike që të reduktohet papunësia, varfëria si
dhe kostot humane, sociale, ekonomike dhe buxhetore të kësaj krize.